Manifaktura kërkon zero tatim për pagat deri në 80 mijë lekë, situatë alarmante nga euro
Manifaktura Shqiptare kërkon përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat për pagat deri në 80 mijë lekë bruto, ndërsa paralajmëron për ndikimin e zhvlerësimit të euros te eksportet.

Manifaktura Shqiptare ka kërkuar ndryshimin e pragut të patatueshëm për pagat, duke propozuar që punonjësit me të ardhura deri në 80 mijë lekë bruto në muaj të mos paguajnë tatim mbi të ardhurat personale.
Kërkesa u paraqit nga kryetari i Manifakturës Shqiptare, Florjan Zeka, gjatë dëgjesës në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ku u diskutuan efektet e paketës fiskale mbi bizneset dhe punonjësit.
Sipas Zekës, mënyra aktuale e llogaritjes së tatimit krijon diferenca në trajtimin e punonjësve që paguhen në nivele të ndryshme, veçanërisht pranë pragut prej 50 mijë lekësh.
“Ne kemi kërkuar të modifikohet tatimi mbi të ardhurat për punonjësit. Një pagë minimale prej 50 mijë lekësh tatohet me 0%, por një punonjës që paguhet mbi këtë vlerë, për shkak të mënyrës së taksimit, përfiton më shumë sesa ai që është nën këtë fashë”, u shpreh Zeka.
Ai argumentoi se problemi qëndron te mënyra e përllogaritjes së tatimit, duke theksuar se për pagat mbi pragun aktual, llogaritja nis nga niveli prej 35 mijë lekësh dhe jo vetëm mbi pjesën që tejkalon fashën përkatëse.
“Kjo është e padrejtë. Handikapi qëndron në faktin se tatimi nuk llogaritet mbi vlerën e fashës së pagës, por nis nga 35 mijë lekë. Pra, një punonjës me pagë 50 001 lekë përfiton më tepër sesa një punonjës që paguhet nën këtë fashë”, deklaroi ai.
Për këtë arsye, Manifaktura Shqiptare propozon zgjerimin e fashës së patatueshme deri në 80 mijë lekë bruto, që sipas përllogaritjes së paraqitur nga Zeka korrespondon me 64 mijë lekë neto.
“Propozimi ynë është që për pagat deri në 80 mijë lekë bruto, ose 64 mijë lekë neto, tatimi të jetë zero”, tha Zeka.
Zhvlerësimi i euros dhe rënia e eksporteve shqetësojnë manifakturën
Përveç ndryshimeve në tatimin mbi pagat, kreu i Manifakturës Shqiptare ngriti shqetësimin për ndikimin e zhvlerësimit të euros në aktivitetin e bizneseve eksportuese.
Sipas tij, kursi i këmbimit mbetet një nga problemet kryesore për sektorin, ndërsa zhvlerësimi i monedhës europiane po ndikohet nga një sërë faktorësh.
Zeka solli në vëmendje edhe aktivitetin e këmbimit valutor jashtë subjekteve të specializuara, duke përmendur rastet kur këmbimi i euros kryhet edhe nga biznese të fruta-perimeve.
Ai theksoi se që nga muaji qershor, rënia e eksporteve ka qenë dyshifrore, duke kërkuar që kjo situatë të merret në konsideratë gjatë hartimit të paketës fiskale.
Sipas përfaqësuesit të manifakturës, ndikimi i kursit të këmbimit te bizneset eksportuese duhet të vlerësohet krahas ndryshimeve të propozuara në sistemin tatimor.
Zeka kërkon transparencë për 922 milionë eurot e fondeve të BE-së
Një tjetër çështje e ngritur gjatë dëgjesës ishte transparenca në shpërndarjen dhe përdorimin e fondeve të Bashkimit Europian, të cilat, sipas Zekës, arrijnë në 922 milionë euro.
Ai deklaroi se këto fonde janë të ndara në pesë shtylla dhe se një pjesë e tyre është e dedikuar për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) dhe startup-et.
Sipas Zekës, mungon informacioni i qartë mbi shumën që do të përfitojnë konkretisht bizneset nga këto financime.
“Fondet e BE-së të dedikuara për vendin arrijnë në 922 milionë euro. Këto fonde, që merren çdo vit, janë ndarë në pesë shtylla dhe një pjesë e tyre është e dedikuar për SME-të dhe startup-et. Nuk ka transparencë se sa prej këtyre fondeve do të shkojnë për biznesin. Ne kërkojmë që të krijohet një komision qeveritar ose parlamentar për të garantuar transparencën e përdorimit të fondeve”, u shpreh Zeka.
Manifaktura Shqiptare kërkon që propozimet për tatimin mbi pagat, shqetësimet për zhvlerësimin e euros dhe transparenca e financimeve europiane të trajtohen në kuadër të diskutimeve për paketën fiskale.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)